Historiku
Dhoma e Tregtisë së Vlorës është pjesë e zhvillimit të ekonomisë dhe industrisë të këtij qyteti, në veprimtarinë e së cilës kanë gjetur pasqyrim përpjekjet e mjaft tregtarëve, industrialistëve, zejtarëve e afaristëve për t’i dhënë nxitje kapitaleve të tyre dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe industrial të Vlorës.
Nevoja për organizimin e një institucioni të tillë lindi nga fakti që edhe Vlora, si vënd i prapambetur agrar kishte të nevojshme futjen në jetën ekonomike të rolit të kapitalistëve vendas për të përballuar edhe vërshimin e mallrave të huaja.
Që nga shpallja e Pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor 1912, Vlora me një popullsi prej 4.600 banorësh, përmendej për futjen në prodhimin bujqësor të disa plugjeve, megjithëse edhe në bujqësi praktikohej kryesisht parmenda e drurit dhe puna e krahut. Ky qytet përmendej më tepër për industrinë e ullirit, agrumeve dhe të vreshtarisë ndërkohë që komunikacioni për transportin e mallrave ishte në gjëndje të vështirë.
Me shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shteti i ri shqiptar i Ismail Qemalit nisi të marrë masa për zhvillimin ekonomik të vëndit. Sipas propozimit të Fuqive të Mëdha, Qeverisë së Vlorës iu sugjerua të krijohej Banka Kombëtare, bankë emisioni dhe krediti. U hartuan edhe mjaft projekte për investime kapitalesh të huaja në sektorë të ndryshëm megjithë vështirësitë e mëdha që solli Lufta e Parë Botërore.
Në vitin 1913 një grup tregtarësh të Vlorës krijuan një grupim dhe kryetar i saj ishte Xhemil Bej Vlora, e cila ushtroi veprimtarinë e saj deri në vitin 1917.
Më 1918, shoqëria italiane “SIMSA” mori konçesionin e shfrytëzimit të minierës së Selenicës, të cilën e bleu nga Shoqëria e mëparshme franceze. Po atë vit një shoqëri tjetër italiane nisi shfrytëzimin e naftës në Drashovicë.
Qysh nga viti 1913 – 1918, në qytetin e Vlorës tregtarët, për të vendosur një rregull në marrëdhëniet e tyre me portin detar të Skelës dhe tregtarët që vinin aty nga Berati, Fieri, Lushnja, Ballshi, Gjirokastra e Përmeti zgjodhën Kryetar të një shoqërie anonime Xhemil Bej Vlorën.
Ndërsa në vjeshtën e vitit 1920, nisi veprimtarinë e vet Oda e Tregtisë. Më 25 tetor të atij viti në Kinema “PËRPARIMI” u bë një mbledhje ku fillimisht u përfshinë 29 anëtarë, midis tyre u zgjodh Këshilli Administrativ i përbërë nga 15 vetë, të cilët shënohen:
Aristidh Ruci
Pandeli Bezhani
Xhemil Bej Vlora
Muço Sharra
Mehmet Isai
Musa Jonuzi
Mateo Matathia
Sheref Dano
Shahin Haruni
Kristo Karbunari
Shyqyri Radhima
Ali Çakërri
Ibrahim Shyti
Teli Kedhi
Rafo Jakoel
Aristidh Ruci Kryetar (dhe Anëtar i bordit të Bankës Kombëtare)
Pandeli Bezhani Sekretar
Mateo Matathia Arkëtar
Në vitin 1920, sipas Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në vëndin tonë, po ashtu edhe në Vlorë disponoheshin kapitale monetare të mëdha, si franga ari e stoli prej floriri. Po në këtë vit pati debate midis tregtarëve dhe çifligarëve të Vlorës, për t’u organizuar dhe për t’i bërë ballë kapitalit të huaj që po hynte në vëndin tonë. Kështu nisi në këtë qytet të ndërtoheshin punishte vaji, alkoli, akulli, mielli.
Oda e Tregtisë në Vlorë ndihmoi nga afër për zgjidhjen e disa probleme ekonomike, arsimore e shoqërore.
Duke qënë se nga vërshimet e shirave të vjeshtës së dimrit të vitit 1921 lumi i Izvorit në Tragjas kishte rrezikuar jetë njerëzish, prej tyre u mor përsipër projekti i ndërtimit të urës së Izvorit. Nxitur nga kjo po në këtë vit një grup tregtarësh krijuan edhe Shoqërinë “VLORA E LIRË” (1921) për qëllime bamirësie si dhe ndërtime të disa veprave industriale.
Kjo inisiative bëri që në 1921-1922 Oda e Tregtisë dhe Shoqëria “VLORA E LIRË” të ndërtonin Portin e Ri detar aty ku ndodhet edhe sot, pranë selisë së Qeverisë së Ismail Qemalit.
Gjithashtu u investua për krijimin e bibliotekës së Odës së Tregtisë me 1827 libra, literaturë ekonomike, artistike dhe kulturore.
Po në vitin 1921 Oda e Tregtisë së këtij qyteti lidhi marrëdhënie bashkëpunimi me Odën e Tregtisë së Brindisit në Itali duke bërë të mundur në pranverë të këtij viti pjesëmarrjen e tregtarëve vlonjat në panairin e Brindisit.
Në proçes-verbalet e kësaj Ode Tregtare shënohen edhe mjaft ndihma të tjera. Ajo në përgjigje të thirrjes së shoqërisë “MBROJTJA KOMBËTARE” financoi e ndihmoi me mjete e orendi mjaft shkolla të qytetit si ato të Tragjasit, Dukatit, Selenicës, Sevasterit, Himarës dhe Kuçit.
Deri në vitin 1926 në qytetin e Vlorës kishte 70 punishte vaji me 146 punëtor, një shtypshkronjë me 11 punëtor, pesë makina mielli me 17 punëtor, 21 automobil, 3 sharra me 18 punëtor, 2 derstila (fabrika vaji), 11 furra gëlqere me 55 punëtor, dhe mjaft zanaçinj të profesioneve të ndryshme.
Me krijimin e Bankës Kombëtare Shqiptare (1925) krahas aksionerëve vendas dhe të huaj, në aksionet e kësaj banke u përfshinë edhe Eqerem Bej Vlora dhe Safa Vlora.
Në vitet 1924-1928 qarkullimi i mallrave në tregtinë e Vlorës pati një rritje të ndjeshme duke u bërë një qëndër e rëndësishme tregtare. Firma më e madhe e tregtisë me shumicë dhe pakicë, sipas relacioneve të Arkivit të Shtetit, për manifakturë e artikuj ushqimore ishte firma “Levi e Rafo Jakoel” (Arkivi Qëndror i Shtetit, F. MEK, Dosja 111 – 600, pasqyra mbi firmat tregtare).
Sipas informacionit të Odës së Tregtisë së Vlorës, në vjeshtën e III të vitit 1926, dërguar Ministrisë së Ekonomisë nga Vlora, janë ekspertuar 910 kv lëkurë, 1843 kv vaj, 580 kv gjalp, 5000 kv lesh, 1558 kv qymyr, 7230 kv peshk, 150000 kv agrume, etj.
Në tregun e Vlorës përdorej leku, lireta dhe monedha e arit.
Nga Porti i Vlorës furnizoheshin Berati, Gjirokastra, Fieri, Lushnja dhe Korça. Veç Portit të Vlorës ishte edhe Porti i Himarës nga ku kryhej shkëmbimi i mallrave me Italinë, Greqinë, Francën, Jugosllavinë.
Më 1927, me ndihmën e kapitalit italian morën përparësi disa degë të ekonomisë shqiptare. Në këtë plan bënte pjesë edhe zhvillimi i industrisë elektrike. Kështu më 1929, SESA (Shoqëria Elektrike Italo-Albanese) krahas qyteteve të tjera e shtrin veprimtarinë e vet edhe në Vlorë me ndërtimin e çentralit elektrik. Krahas kësaj, më 1928 u dha me konçesion shfrytëzimi i pyjeve me pishë në Llogara.
Më 1925, shoqëria Italiane “Alegro” bleu nga Syrja Bej Vlora një punishte alkoli në Ujë të Ftohtë. Veç rikonstruksionit të punishtes atij i sollën makineri e pajisje të reja, u përsos proçesi teknologjik i prodhimit të alkolit, u ngrit dhe një distileri.
Në vitin 1929 Oda e Tregtisë së Vlorës i kërkon Ministrisë së Ekonomisë të konsultohej me specialistë që njihnin tregun e huaj për të blerë traktor, punishte vaji dhe fabrika mielli.
Në vitet ’30 në Odën e Tregtisë së Vlorës u përfshinë edhe mjat zejtar dhe tregtar të vegjël si edhe çifligarët, të cilët ndien nevojën e përkrahjes dhe mbështetjes për të futur në ekonomitë dhe ndërmarrjet e tyre teknologjitë e reja të prodhimit dhe industrializimit.
Një nga problemet e veçanta që trajton Oda e Tregtisë së Vlorës në vitet 1930 – 1935 ishte edhe shmangia e konkurencës së firmave tregtare e industriale në treg. Fabrikat e Alkolit në Shkodër, ajo me emrin “Mërkuri” në Korçë dhe ajo me emrin “Skënderbeg” në Vlorë, si edhe ajo në Elbasan nënshkruan një akt-marrëveshje të përbashkët për të shmangur konkurencën midis tyre.
Më 1944 Oda e Tregtisë e ndërpreu veprimtarinë e saj.
Dhomat e Tregtisë u krijuan me vendim të Këshillit të Ministrave me 2 Qershor 1958. Qëndra e tyre ishte në Tiranë. Ndërsa në Vlorë quhej “VLORA IMPEX” dhe vazhdoj të quhej e tillë deri në vitin 1993. Aktiviteti i “VLORA IMPEX” përfshinte jo vetëm organizimin dhe pjesëmarrjen në panaire dhe ekspozita, por edhe planifikimin dhe dhënien e informacionit Ministisë së Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore mbi mundësinë eksportuese dhe nevojat për importe të produkteve të Rrethit të Vlorës.
Në vartësi të Dhomës së Tregtisë Vlorë ka qënë edhe ekspozita “VLORA SOT”. Pas vitit 1990 me kalimin nga ekonomi e centralizuar në një ekonomi të tregut me krijimin e Ndërmarrjeve private lindi nevoja e një organizimi të ri të këtyre bizneseve.
Në datën 12.01.1991 në mbledhjen e organizuar me pjesëmarrjen e gjithë drejtuesve të ndërmarrjeve shtetërore ekonomike që kishin lidhje me ekport-importin nën drejtimin e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë të Shqipërisë z. Ligor Çiflliu, si dhe Drejtuesit të Komitetit Ekzekutiv u zgjodh Këshilli i Dhomës së Tregtisë për rrethin e Vlorës, anëtarët e Dhomës, dhe Kryetari.
Kryetar nga Këshilli u zgjodh Sekretari i Dhomës z.Tare Hamo.
Sipas dokumentacionit të kohës anëtarë të Dhomës së Tregtisë në këtë periudhë ishin:
NDËRMARRJA E KRIPËS Ing.Pavllo Mitro Anëtar këshilli
NDËRMARRJA E PESHKIMIT Jani Gerveni Anëtar këshilli
N.P. VESHJEVE Ing.Lutfi Katia Anëtar këshilli
ND. NDËRTIMIT Ing.Gazmir Bega Anëtar këshilli
KOMITETI EKZEKUTIV Agronom Izet Rexho Anëtar këshilli (Specialist për Bujqësinë)
ND. ZDRUKTHTARISË Ekonomist Gaqo Noçka Anëtar këshilli
KOMITETI EKZEKUTIV Ekonomist Petro Ndriço Anëtar këshilli
(Specialist për ekonominë)
KOMBINATI I KONSERVAVE K/ing.Petro Noçi Anëtar këshilli
Në këtë mbledhje u përcaktua dhe u miratua:
“Rregullorja e funksionimit”
Vëndi i funksionimit u dhanë investime dhe u vendos selia në Shtëpinë e Kulturës pranë BKT te Sheshi i Flamurit.
Dhoma e Tregtisë si organ ekzekutiv kishte dy punonjës, Sekretarin z.Tare Hamo dhe merceolog z.Petrit Novruzi.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë u krijua në bazë të ligjit 7804 datë 10-03-1994. Në bazë të Nenit 3 të këtij ligji anëtarë të Dhomës janë të gjithë personat Juridik dhe Fizik që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Vlorë.
Objektivi kryesor i Dhomës sonë ka qënë përmirësimi i paketës së shërbimeve reale të ofruara bizneseve që operojnë në Vlorë me qëllim integrimin e tyre në biznesin Kombëtar dhe Ndërkombëtar.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, falë rritjes së eksperiencës ka arritur të rrisë numrin e shërbimeve dhe të ndryshoj fizionominë e saj duke organizuar panairin e përvitshëm “EXPO VLORA”, seminare, konferenca dhe trajnime të ndyshme në shërbim të zhvillimit të biznesit të Vlorës dhe në veçanti të zhvillimit ekonomik të qytetit.
Duke patur marrëdhënie të mira me Dhomat e Tregtisë së Hollywood-it, Florida (USA), Morantini (Francë), Brindisi, Ancona, Lecce (Itali), Corfuz, Igumenice, Kavala (Greqi), Dhomat e Tregtisë së Malit të Zi dhe Maqedonisë, Dhomat e Kosovës është rritur mundësia për shkëmbim informacioni dhe eksperiencë duke patur si përparësi bashkëpunimin midis bizneseve. Në mënyrë të vecantë është për t’u përmendur bashkëpunimi me Dhomat e Tregtisë së Italisë dhe Greqisë, me të cilat kemi arritur të realizojmë projekte të përbashkëta në kuadër të projektit INTERREG 3.
Materiali u përgatit nga: Prof. Dr. Bardhosh GAÇE



