PËRSHËNDETJA E KRYETARIT TË DHOMËS SË TREGTISË DHE INDUSTRISË SË QARKUT VLORË
Një qytet në rritje, një ekonomi në ekspansion!
Të nderuar lexues, të nderuar sipërmarrës shqiptarë dhe të huaj,
Në këtë botim për herë të parë bashkohet edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut të Vlorës, si një nga qarqet Elitë të Rivierës Shqiptare por edhe si një nga resurset më të mëdha natyrore, kulturore dhe historike që sigurisht ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të këtij qarku.
Qarku i Vlorës me një numër të konsiderueshëm të sipërmarrjeve sidomos në fushën e Turizmit dhe atë të Tregtisë me Jashtë, me një infrastrukturë të kënaqshme dhe me një superstrukturë turistike të pamjaftueshme për flukset turistike gjithnjë në rritje, është tashmë destinacioni turistik më i preferuar i gjithë shqiptarëve si brenda dhe jashtë vendit, ashtu edhe fqinjëve tanë më të afërt, të cilët së fundmi kanë zbuluar këtë qark.
Megjithatë në këtë qark Turizmi edhe pse zë pjesën më të madhe të investimeve nuk duhet lënë pa përmendur pjesa tjetër, një industri e tërë që është lënda e parë për turizmin dhe këtu nuk ngelen pa përmendur investimet e shumta në prodhim, si një nga sektorët që po njeh këto kohë një zhvillim shumë të madh. Janë investuar miliona euro në prodhimin e produkteve ushqimoreve, pijeve (sidomos birra) dhe së fundi edhe në industritë e rënda të prodhimit të materialeve të ndërtimit (2 fabrika te prodhimit të tullave), si dhe një numër shumë i madh mobilerish.
Një vëmendje e madhe i është kushtuar ndërtimit si dhe industrive të tjera të cilat kanë sjellë në Vlorë me qindra të huaj që janë bërë pjesë e zhvillimeve të këtij qarku. Investime te shumta janë bërë në drejtim të prodhimit të paketimeve të ndryshme, të përpunimit të letrës, të punimit dhe lyerjes së aluminit, të prodhimit të bojrave dhe shumë e shumë industri të tjera.
Qeveria shqiptare me inisiativën e Dhomës së Tregtisë Vlorë ka ndihmuar në percaktimin e zonave të zhvillimit në këtë qytet duke i krijuar mundësinë sipërmarrësve të gjithë qarkut për të pasur një infrastrukturë sa më komode. Për këtë është përcaktuar në Vlorë një zonë industriale e cila do të ndaloj ndërtimet pa kritere të biznesit, duke i orientuar drejt një zone të caktuar dhe me infrastrukturën e duhur e cila do të quhet Parku Industrial i Vlorës.
Interesi i të huajve, sidomos i fqinjëve italianë është shumë i madh për qarkun e Vlorës, kjo edhe për faktin e afërsisë me Jugun e Italisë. Ky interes vihet re nga pjesëmarrja e madhe e sipërmarrësve italianë në panairin EXPO VLORA një panair i përvitshëm që organizohet nga Dhoma e Tregtisë Vlorë me një pjesëmarrje shumë të madhe të biznesit nga gjithë Shqipëria dhe nga jashtë saj duke e karakterizuar si një panair ndërkombëtar në të cilin interesi i të huajve ka qënë shumë i madh dhe kjo është parë në rritje nga viti në vit. Ky panair ka patur pjesëmarrje nga sipërmarrës Italianë, kosovarë, turq, grekë, indianë, gjermanë, austriakë, etj.
Në vazhdën e nismave që kjo Dhomë ka marrë, për të përkrahur dhe ndihmuar biznesin e qarkut të Vlorës, është edhe kjo pjesëmarrje së fundmi në këtë botim të Kryeqytetit duke bërë që përkrah biznesit të Tiranës dhe qyteteve më të mëdha, të renditet edhe biznesi i qarkut të Vlorës.
Sigurisht që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Qarkut Vlorë, vazhdon të çoj përpara atë mision që nisën të parët, ata të cilët themeluan këtë Dhomë në vitin 1920,
“Të ndihmojmë dhe të asistojmë biznesin në cdo kohë”!



